Duhet ta pranojmë: na kanë mundur!

Redaktor
By Redaktor 8 Gusht, 2022 08:56

Duhet ta pranojmë: na kanë mundur!

Në Shqipëri, shefi i rendit në Policinë e Elbasanit, është arrestuar të martën pasi duke drejtuar një skaf goditi për vdekje një vajzë  shtatë vjeçare në bregdetin e Himarës. Sipas burimeve zyrtare të policisë, ngjarja ndodhi në Plazhin e Potamit në Himarë ku skafi që drejtohej nga komisari i policisë, humbi kontrollin dhe goditi fëmijën duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Kjo vrasje vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes.

Zylyftar Bregu

Vrasja e vogëlushes nga një punonjës policie, teksa pushonte në bregun e detit, duke bërë kalanë imagjinare të jetës së saj, ka tronditur këdo që e ka lexuar këtë lajm. Dhjetra mesazhe ngushëllimi, mllefi, proteste, mallkimi, kam lexuar nga miqtë e kolegët nga Kosova, e Maqedonia (veç publikut vendas).

Natyra dhe rrethanat e vrasjes së vajzës së mitur, kanë provokuar trishtim, mllef, inat, protestë, mallkim, por dhe i ka bërë më fatalistë shqiptarët. “Ky vend nuk bëhet”!

“Si mund të vrasësh edhe me plazhet bosh”?

Paralelisht me reagimin e publikut, ekspertët e manipulimit të opinionit organizohen për të hequr njollën e turpit të atij që me një fjalë quhet shtet.

Meqë lajmi është malli që skadon më shpejt se çdo produkt tjetër, veti që e dinë më së miri agjentët e marrëdhënieve publike, ai u zëvendësua shumë shpejt me një njoftim për shtyp të Policisë së Shtetit. Reaguam! Pezullojmë oficerin e policisë! E me një përkujdesje shumë të hollë, autorin e krimit, nga offcer policie e quajmë ish-oficer policie.

Ortekut të mallkimit, sidomos në rrjetet sociale i hedhim dy kova me akull; e shikoni sa shpejt reaguam (e vërtetë); konfuzon audiencën (opinionin), autori është ish-oficer apo oficer në detyrë.

Pas këtij vjen edhe një lumë emailesh të tjera me njoftime për shtyp. Nga Autoriteti i Mbikqyrjes Policore, nga Ministria e Mjedisit, ajo e Turizmit, Bashkitë përkatëse, Autoritetet pa autoritet të autoriteteve, Inspektorët që inspektojnë vetëm hotelet ku shkojnë për të përfituar ulje çmimi, e kushdo tjetër.

Qëllimi i qartë: Të frenojmë egërsinë e rrjetit, të konfuzojmë ata që dëgjojnë. Në fund, të gjithë këta ndahen në dy grupe e në vend të merren me lajmin, merren me lajmësin.

Të nesërmen, specialistët e marrëdhënieve publike hedhin në treg vaksinën që bën të mundur “sindromin e harresës”. E lajmi del nga agjenda e raportimit. Lajmi nuk ndiqet. Autoritet e kanë larë fytyrën me njoftimin që bëjnë shpejt e shpejt pasi ndodh tragjedia.

Po të mos kishte ndodhur kështu, media duhet t’i shkulte dhëmbët drejtuesve të autoriteteve që monitorojnë plazhet, atyre që licencojnë skafet e vdekjes, atyre që kontrollojnë, që kur ndodhi ngjarja e parë e deri më sot.

Këto janë ngjarje që nuk mund të trajtohen si “fishekzjarre” të kronikave të zeza. Kanë nevojë për artikuj të veçantë, artikuj të thelluar, reportazhe, artikuj investigativë.

Nuk jam i sigurt nëse, edhe pasi gazetarët ta kishin bërë këtë punë, autoritetet do të kishin fuqi që të ndalonin një oficer policie që të bënte atë që bëri sot, por, të paktën do të ndiheshin krenarë se kishin bërë atë që duhej.

Sepse, të nderuar kolegë, duhet të prano(ni)jmë: Zyrtarët e Marrëdhënieve Publike e kanë fituar garën me gazetarët. Edhe nëse nuk arrijnë të fshehin një informacion, e sigurt është, që e shtrembërojnë atë!

Redaktor
By Redaktor 8 Gusht, 2022 08:56
Write a comment

No Comments

No Comments Yet!

Let me tell You a sad story ! There are no comments yet, but You can be first one to comment this article.

Write a comment
View comments

Write a comment

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Na ndiqni

7.... fjali

Lexo më shumë

Kontekst

Pikëpamje