Kuvendi që orientimin e medias e shet si akt lirie ndaj saj
Related Articles
Nga Zylyftar Bregu
Reporterët që raportojnë lajmet nga aktiviteti i Kuvendit të Shqipërisë kanë artikuluar ditët e fundit shqetësimin për rregulloren e miratuar rishtazi nga ana e Kuvendit, që ndikon negativisht dhe në mënyrë substanciale në punën e tyre të përditshme.
Në një lexim të thjeshtë të aktit nënligjor të miratuar nga Kuvendi, konstatohet se shqetësimi i kolegëve reporterë, përveçse është i ligjshëm, duhet të jetë më i ashpër. Pasojat e këtij akti juridik do të jenë më të mëdha sesa ata i parashikojnë.
Titulli i rregullores “Rregullore për akreditimin, akomodimin dhe orientimin e mas-mediave pranë Kuvendit të Shqipërisë” godet rëndë standardin e lirisë së mediave. Kuvendi kërkon të orientojë median! Ky pretendim bie ndesh me konceptim e lirisë së medias, e cila nëse orientohet nga ndonjë pushtet tjetër, mund të kapërcejë kufirin drejt propagandës, marrëdhënieve publike, apo çfarëdo forme tjetër, por jo media.
Duket që koncepti i përdorur nuk është lapsus. “Orientimi” reflektohet në të gjithë frymën e rregullores. Në nenin 16 të rregullores “Shoqërimi”, shkruhet e zeza mbi të bardhë “Punonjësit përgjegjës për rendin dhe sigurinë sigurojnë shoqërimin e personave të akredituar gjatë qëndrimit të tyre në Kuvend”.
Pra, reporteri gjatë gjithë kohës do të jetë nën shoqërimin e punonjësit të gardës, i cili e ka të gjithë mundësinë që të mësojë, jo vetëm se me ke është takuar reporteri brenda Kuvendit, por edhe se çfarë kanë biseduar ata. Kjo praktikë e tejkalon atë të vendeve diktatoriale dhe asgjëson praktikën e lirisë së gazetarit. Shoqërimi i gazetarit praktikisht “hedh në herë” edhe procedurën e akreditimit, e cila në përmbajtje të garanton mundësinë të lëvizesh lirshëm brenda institucionit që të ka akredituar.
Brenda këtij neni bëhet një tjetër akt diskriminimi mes mediave. Hartuesit kanë diferencuar gazetarët e Radio Televizionit publik, që në fakt është një ent publik, dhe Agjencisë Telegrafike Shqiptare, që është një ent shtetëror, zyrtar. Kjo frikë i çon hartuesit dhe deputetët që e kanë miratuar rregulloren në një logjike absurde: u japin liri gazetarëve që përfaqësojnë media të kontrolluara nga shteti dhe censurojnë gazetarët e mediave të pavarura.
Ndërsa procedura që asgjëson praktikën e lirisë së gazetarit për të pasqyruar aktivitetin e deputetëve është izolimi i tyre në një mjedis në katin e parë të godinës dhe ‘ushqyerja’ e tyre me sinjal audio-viziv nga studio qendrore e Kuvendit.
Së pari, kjo krijon uniformitet në raportimin e gazetarëve nga Kuvendi. Të gjithë do të kenë një sinjal, një sasi dhe cilësi informacioni.
Së dyti, reporterët do të privohen nga liria për të parë edhe mjediset e tjera të Kuvendit, përveç sallave ku diskutohet dhe merren vendime. Në fakt gazetarët duan të shohin të gjitha mjediset, ku edhe mund të mos merren vendime dhe bëhet politikë, për shembull kafeneja, koridoret, zyrat e grupeve parlamentare, etj.
Së treti, reporterët privohen nga liria për të zgjedhur burimet e tyre të informacionit. Në përditshmërinë e një reporteri, burimet janë kontekstuale, të natyrshme dhe të menjëhershme, ashtu siç është natyra e lajmit. Në kushtet kur komunikimi me deputetët do ti nënshtrohet një procedure burokratike dhe administrative, mundësia e reporterëve për të detyruar deputetet që të japin llogari do të bëhet më e pakët dhe, herë herë, përtej limiteve kohore të dobisë ndaj opunionit publik.
Në këtë analizë nuk po merrem fare me ndershmërinë e hartimit dhe miratimit të aktit, me faktin që rregullorja miratohet në skajin fundor të mandatit të atyre që ngritën duart, ndërsa efektet do të jenë për një legjislaturë të re, ku, siç konstatojnë me të drejtë reporterët, asnjëri prej tyre nuk do të jetë.
Nuk po analizoj as formën aspak transparente se si ajo është hartuar, në kundërshtim me praktikën normale të hartimit dhe miratimit të një akti juridik, duke u konsultuar me grupet e interesit.
Të gjitha këto cenojnë procesin. E një proces i gabuar, nuk ka sesi të prodhojë një produkt të rregullt.
Pavarësisht faktit nëse kjo rregullore do të mbesë në fuqi apo do të rrëzohet, mjafton miratimi i saj për të kuptuar bezdinë që shfaqin deputetët dhe drejtuesit e pushtetit legjislativ ndaj medias në tërësi dhe lirisë së saj.
Let me tell You a sad story ! There are no comments yet, but You can be first one to comment this article.
Write a comment