OST sfidon ligjin/ Kryen investime të pa miratuara nga Enti Rregullator

Redaktor
By Redaktor 3 Shkurt, 2021 16:39

OST sfidon ligjin/  Kryen investime të pa miratuara nga Enti Rregullator

Në kundërshtim flagrant me ligjin, OST-ja kryen investime pa marrë miratimin e Entit Rregullator dhe shpërfill sugjerimin që kompania të nisë shlyerjen e detyrimeve që ka ndaj KESH-it

Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) ka kryer investime për vitin 2020 edhe pse Plani i Investimeve është refuzuar nga Enti Rregullator i Energjisë, duke sfiduar hapur ligjin. Nga shqyrtimi i dokumentacionit duket qartë se komunikimi mes këtyre dy institucioneve ka qenë problematik, sfidues dhe i ngadaltë.

Enti Rregullator i Energjisë e ka quajtur të paplotë dhe të vonuar planin e investimeve të vitit 2020 për sektorin e energjisë elektrike nga Operatori i Sistemit të Transmetimit. Pas një beteje kërkesash mes OST sh.a  dhe ERE-s, kjo e fundit vendosi ta refuzojë miratimin e këtij plani.

Në lidhje me shqyrtimin e kërkesës së OST sh.a, në vendimin Nr. 169, të bordit të ERE-s, janë shpjeguar një sërë arsyesh të cilat lidhen me mosmiratimin e këtij plani, duke e konsideruar atë jo të plotë dhe dorëzimin e tij jo brenda afateve të përcaktuara në Ligjin Nr. 43/2015,  ‘PËR SEKTORIN E ENERGJISË ELEKTRIKE‘.

Shkelja e afateve ligjore për paraqitjen e dokumenteve nga OST SH.A

OST sh.a në datën 20.01.2020 ka paraqitur pranë ERE-s për miratim “Planin e investimeve për vitin 2020”. Pas ngritjes së grupit të punës, ERE i ka kërkuar OST sh.a informacion mbi aktivitetin e saj për vitin 2019 në kuadër të përgatitjes së raportit vjetor mbi situatën e sektorit të energjisë elektrike dhe veprimtarinë e ERE-s për vitin 2019, si dhe përditësimin e planit dhjetëvjeçar, 2015-2025.

Pas disa kërkesave për depozitimin e informacioneve në lidhje me këto plane, ERE me vendimin Nr. 115, në korrik 2020, njofton OST sh.a për miratimin dhe nisjen e shqyrtimit të këtyre planeve, duke konsideruar në këtë vendim, se depozimiti i dokumentave ishte i vonuar. Enti Rregullator i Energjisë, njoftoi gjithashtu OST sh.a, nëpërmjet këtij vendimi se kishte 30 ditë kohë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të depozitonte dokumentacionin e kërkuar sipas kushteve të parashikuara në Rregulloren e procedurave paraqitjes dhe miratimit planit investimeve nga operatorët e transmetimit dhe shpërndarjes energjisë elektrike, të miratuar nga ERE me vendimin nr. 135, datë 06.09.2017. Po sipas kësaj rregullore, ERE më 05 gusht 2020, në faqen e saj zyrtare, publikoi projekt draftin duke njoftuar OST sh.a. dhe palët e interesit për vendimin e bordit si dhe bëri publikimin e planit të investimeve në faqen e internetit të ERE-s, në rubrikën konsultime, në mënyrë që të bëhej i disponueshëm për opinione apo komente të mundshme nga palët e interesuara.

Por në vendimin Nr. 169, në nëntor 2020, ERE konstatoi se OST sh.a sërish nuk kishte respektuar afatet e përcatuara në ligj në lidhje me paraqitjen e dokumentave për shqyrtimin e planeve të investimeve 2020, si dhe për planin dhjetëvjeçar, 2015-2025. Sipas saj, OST sh.a në paraqitjen e planeve të investimeve, të cilat do të prokuroheshin për vitin 2020, nuk kishte dokumentuar konsultimin me palët e interesuara konform nenit 11, pikat 4 dhe 6 të Rregullores miratuar me vendimin nr. 135, datë 06.09.2017 të bordit ERE-s. OST Sh.a, po në këtë mbledhje bordi,  gjithashtu deklaroi se nuk u zbatua pika 3 e Vendimit Nr. 115, datë, 09.07.2020, të bordit të ERE-s, në të cilin përcaktohet: Shoqëria OST sh.a, të depozitojë në ERE jo më vonë se 30 ditë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, dokumentacionin e kërkuar sipas kushteve të parashikuara në rregullore.

Mungesat në Planin e Investimit të vitit 2020

vendimin e saj ERE konstatoi se vlera totale e investimeve të parashikuara nga OST sh.a., për tu realizuar në vitin 2020 me fondet e veta, ishte në vlerën 3,640,853,152 Lekë, për tu disbursuar 1,251,052,952 Leke gjatë vitit 2020. Një ndër financimet e vitit 2020, në planin e paraqitur nga OST sh.a ishin investimet në infrastrukturën e fibrës optike, i cili sipas vendimit të ERE-s, Nr 194, të vitit 2019, nuk i plotësonte kërkesat për dhënien në përdorim të një pjese të infrastrukturës së fibrës optike. Sipas këtij vendimi konstatohej se kostot për realizimin e këtij aktiviteti duhet të mbuloheshin nga të ardhurat e realizuara nga kjo,  duke mos ndikuar në tarifën e transmetimit të energjisë elektrike si dhe në kostot e lidhura me këtë shërbim ndaj  klientëve fundorë.

Rregullorja dhe procedurat e paraqitjes dhe miratimit planit investimeve nga operatorët e transmetimit dhe shpërndarjes energjisë elektrike në nenin 8, pikat 2 dhe 4, ndër të tjera, përcakton se investimet e parashikuara duhet të shoqërohen me analizën kosto – përfitim si dhe çdo investim i parashikuar duhet të shoqërohet me relacione shpjeguese. Sipas ERE-s, mungesa e kësaj analize  e pengonte këtë të fundit të vlerësonte përfitimet ekonomike nga investimi i propozuar. Ndërkohë që shkresës së dërguar nga OST sh.a, se mungesa e analizës, vinte për shkak të mungesës së një metodologjie për të përllogaritur kosto përfitimet për çdo investim të programuar, ERE iu përgjigj se, Operatori i Sistemit të Transmetimit kishte pasur 3 vjet kohë për të formuluar një metodologji, sipas vendimit Nr. 135, të vitit 2017.

Ndryshimet e financimeve në planin e investimeve të vitit 2020, OST sh.a i ka argumentuar me miratimin që ka marrë nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave. Por, ERE i ka rikujtuar edhe një herë OST sh.a se, sipas të gjitha bazave ligjore, kjo shoqëri  është një subjekt i liçensuar nga ERE, dhe si e tillë duhet të zbatojë të gjitha vendimet e saj, përfshij dhe ato të përcaktuara në rregullore.

Investimet e planifikuara nga OST sh.a. për vitin 2020, duhet të kryheshin sipas renditjes në lidhje me prioritetin e tyre. Këto kanë si faktor përcaktues kriteret në zbatim të legjislacionit në fuqi me kosto më të ulët, me qëllim sigurinë e rrjetit, eficencën në transmetimin e energjisë dhe uljen e humbjeve në rrjet me qëllim ruajtjen e stabilitetit tekniko-ekonomik të shoqërisë për vitin 2020, por duke siguruar që tarifat e përdorimit të rrjetit të transmetimit të mbeteshin të qëndrueshme në kohë. Sipas ERE-s parimi për mbulimin e planit të investimeve me kosto më të ulët varet dhe nga mënyra e financimit të tyre dhe, referuar eksperiencave më të mira rregullatore të OST-ve të vëndeve të tjera, ato  janë investime të cilat financohen me hua dhe jo me kapitalet e shoqërisë.

Një tjetër arsye e mos miratimit të këtij plani, sipas ERE-s, është edhe mungesa e një e propozimi për shlyerjen e detyrimeve të mëparshme të akumuluara të OST sh.a ndaj KESH.sha për shërbimin e balancimit. Sipas ERE-s, në programin ekonomik të vitit 2020 nuk parashikohej asnjë element për shlyerjen e këtij detyrimi por parashikoheshin investime me fonde të vetë shoqërisë, në vlera që arrinin mbi 50 % të të gjithë të ardhurave të kompanisë, element i cili nuk ishte i mbështetur në VKM-në nr. 253, datë 24.04.2019, “Për miratimin e planit të konsolidimit financiar të sektorit publik elektroenergjetik”, që për shoqërinë OST sh.a nuk orienton kryerjen e investimeve me fondet e veta, ndyshe nga OSSH sh.a. si pasojë e kapitalit negativ të trashëguar nga periudhat e mëparshme ushtrimore.

Përsa i përket investimeve me fonde te huaja si dhe investimeve që do financoheshin me fonde lokale apo grante, të cilat ishin në proces përgjatë vitit 2020, duhet vazhdonin zbatimin, pasi ishin miratuar nga ERE në vitet e saj të mëparshme. Megjithatë, sipas ERE-s, për  këto investime OST sh.a duhet te raportonte periodikisht në ERE në mënyrë që të kryeshin monitorimet e ecurisë së realizimit të tyre përgjatë vitit 2020.

Plani 10 vjeçar 2015-2025

OST sh.a argumentoi në kërkesën e saj në ERE se mungesa e detajimit të planit dhjetëvjeçar 2015-2025, vinte si pasojë e pritjes së një master plani të ri që pritej të finalizohej përgjatë vitit 2020 dhe do të bënte të mundur më pas riskedulimin e të gjithë listës së parashikimeve, qoftë në objekt, qoftë në afate, në përmbushje të përcaktimeve të rregullores përkatëse. Megjithatë OST sh.a i dërgoi ERE-s një plan, sipas situatës aktuale, të asaj kohe duke sqaruar se, i vetmi tregues i ndryshuar ishte  viti i komisionimit për ato objekte të cilat ishin në proces apo parashikoheshin të përfshiheshin në investime si pasojë e faktorëve të ndryshëm ku listoheshin procedurat e prokurimit, shpronësimet, etj.

Në të njëjtin vendim, Vendimin Nr. 169, të nëntorit 2020, ERE konstaton se  OST sh.a nuk kishte dërguar përditësimin e planit 10 vjeçar 2015-2025, të zhvillimit të rrjetit të transmetimit, sipas kritereve të përcaktuara në Rregulloren e procedurave paraqitjes dhe miratimit planit investimeve nga operatorët e transmetimit dhe shpërndarjes energjisë elektrike”, miratuar me Vendimin nr. 135 të bordit të ERE-s, datë 06.09.2017. Sipas rregullores të miratuar nga ERE, plani duhet të shoqërohej me relacione argumentuese lidhur  me metodologjitë e ndjekura për parashikimin e planit të investimeve, siç ishin ndikimet e investimit në përmirësimin e performancës së operatorit, kostot, humbjet, burimi i financimit, periudhat e shlyerjes dhe çështje të tjera. Gjithashtu, kjo metodologji duhet të përfshinte dhe analizën e përfitimit nga çdo projekt që justifikon kostot si dhe skedulimin, studimin e fizibilitetit,ndikimin në mjedis dhe të drejtën e pronës. Sipas ERE-s, përditësimi i planit 10 vjeçar të investimeve ishte një element i rëndësishëm për zhvillimin e sistemit të transmetimit. Në vendimin e saj, ERE konstatoi se pavarësisht faktit se OST sh.a ishte në pritje të përfundimit të një masterplani të ri, kjo nuk e pengonte atë që deri në daljen e tij, të rishikonte dhe të përditësonte planin ekzistues 10 vjeçar të zhvillimit të rrjetit.

Kërkesa e OST sh.a në vitin 2021 për shtyrjen e shqyrtimit të planeve të vitit 2020

Me vendimin Nr. 03, në janar të vitit 2021, ERE iu përgjigj pozitivisht kërkesës së OST sh.a. për shtyrjen e afatit të shqyrtimit për rishikimin e vendimit nr. 169 të bordit të ERE-s, në nëntor të vitit 2020. Në kërkesen për shtyrje, OST sh.a, ishte shprehur se kishte vënë në dispozicion informacion shtesë në lidhje me draftin mbi metodologjinë e vlerësimit, kosto-përfitim, të kërkuar nga ERE në vendimet e saj të mëparshme. OST sh.a. sqaronte gjithashtu se ishte në përfundim të master-planit të saj të ri “Plani mbi Investimet dhe Zhvillimin e Rrjetit  për  Sektorin  e  Transmetimit  të  Energjisë  në  Shqipëri,  për  vitet  2018 –2033”. Sipas saj, ai ka hyrë në fazën e tij përfundimtare dhe, sipas skedulit të fundit të miratuar, pritet që Drafti përfundimtar i Master Planit të jetë gati në fund të dhjetorit. Sipas OST sh.a, vonesa e këtij plani gjatë  vitit  2020,  erdhi për shkak të kufizimeve të krijuara për shkak të pandemisë së  COVID-19.

.

Redaktor
By Redaktor 3 Shkurt, 2021 16:39
Write a comment

No Comments

No Comments Yet!

Let me tell You a sad story ! There are no comments yet, but You can be first one to comment this article.

Write a comment
View comments

Write a comment

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Na ndiqni

7.... fjali

Lexo më shumë

Kontekst

Pikëpamje