Qukës – Qafë Plloçë, rruga që pas 12 vitesh kërkon sërish lekë dhe kohë
Related Articles
Mëngjes i pazakontë marsi në lidhje me pritshmëritë për këtë kohë të vitit – ngrohtësi dhe ndonjë fllad i lehtë pranveror – është krejt e kundërta. Vendin e ka kapluar i ftohti i ndërthurur me një zymtësi mëngjesore, paksa dimërore, ndërsa qiellin e kanë pushtuar re të dendura të zeza, që sinjalizojnë se shumë shpejt mund të nisë ndonjë rrebesh shiu. Jo shumë larg nga Elbasani, vendi i trazirave politike të ditëve të fundit, ndodhet rruga Qukës – Qafë Plloçë ose, siç e kanë cilësuar politikanët ndër vite, ri-jetësimi i rrugës së famshme ‘Egnatia’, një rrugë që ka mbi një dekadë që ndërtohet, por ende nuk ka mbaruar. Diku një segment ka përfunduar, diku është në përfundim, e në ndonjë vend tjetër, si në Qukës, akoma nuk ka filluar.
Pak metra nga tabela që lajmëron se je duke hyrë në fshatin Qukës, duhet të devijosh rrugën nacionale e të kthehesh djathtas. Por gropat e mëdha jo vetëm që nuk të lënë të shtosh shpejtësinë e makinës, por të shkaktojnë tronditje të vazhdueshme. Tek-tuk, anash rrugës ka shembje dhe rrëshqitje dherash. Rruga duket se ndjek logjikën e Rozafës, në verë rinis ndërtimi, gjatë dimrit shembjet çojnë dëm punimet, e prej 13 vitesh vijojnë zvarritjet duke gllabëruar vazhdimisht para, jo pak, por miliona dollarë. Projekti i nisur në vitin 2009 për të shkurtuar distancën midis Tiranës dhe Korçës, me një gjatësi prej 43.5 km dhe me një investim prej 152 milionë dollarësh, sot vazhdon të jetë ëndërr, por ama, një ëndërr e kushtueshme. Përgjatë harkut kohor të këtyre viteve, njësoj si Shkumbini kur del nga shtrati, është fryrë edhe buxheti i saj. Aktualisht shuma e investimit ka arritur në 225.3 milionë dollarë. Goxha investim për asgjë!
Pas afër 4 km, në vrazhdën e gropave të tmerrshme të fshatit Karkavec, diku në anë të rrugës, takojmë Bardhin, një mesoburrë, paksa i thinjur, pa i mbushur të 60-at. Ishte në pritje të ndonjë makine të rastit për të shkuar në qytetin e Librazhdit që kishim lënë pas. Bashkë me të shoqen, një grua e heshtur, prisnin siç kishin pritur rregullimin e rrugës ndër vite. Në këmbim të pritjes merrnin si shpërblim pluhurin e rrugës që u përplasej keqazi në fytyrën e pastër e njëkohësisht të pashpresë. E pyesim se kur mund të përfundojë kjo rrugë dhe, me një nënqeshje ironike dhe pezmatuese, Bardhi thotë: “Asnjëherë. Kjo rrugë edhe pse është inauguruar disa herë, nuk do përfundojë ndonjëherë. Ka ngelur në mëshirë të fatit”. Përgjatë luginës së Shkumbinit, në dy kahet e tij, ngrihen hijerëndë fshatrat e moçëm të Fanjës, Karkavecit dhe Dritajt, banorët e të cilëve, gjatë këtyre viteve, kanë vuajtur edhe pasojat e mos përfundimit të rrugës Qukës – Qafë Plloçë. Edhe pse kjo e fundit ecën paralel me rrjedhën e Shkumbinit, ndryshe nga ai, që vazhdon lundrimin e tij drejt detit, ‘Egnatia’ e rilindur në letra, në realitet ka ngecur në kohë.
Të vetmet që lëshojnë aromë pranvere e që simbolizojnë vazhdimësi të jetës, janë lulet e shumta e të bardha të kumbullave, që duken si kurorë e qëndisur mbi këto fshatra. Në të njëjtën botë, këtu në anët e Shkumbinit, zhvillohet paralelisht drama e vërtetë, lufta për mbijetesë. E dhimbshme të shikosh gra që bëjnë punën e kafshës duke mbartur mbi shpinë barrë të rënda. Nuk e dimë se sa peshon ajo barrë, siç nuk dimë as koston e kësaj rruge!
Ndërkohë që i largohemi Karkavecit dhe hyjmë në fshatin Dritaj, ndeshim kantierin, gjigandin e fjetur ku një pjesë e segmentit është e asfaltuar plotësisht, e ndërsa pjesa tjetër vazhdon vetëm në një korsi. Tabelat në anë të rrugës tregojnë vazhdimësinë e punimeve, por nga ana tjetër, ndryshku dhe ngjyra e zbehtë e shkrimit në to, dëshmojnë vitet e gjata që kanë këtu. Përveç shkatërrimit nga kushtet atmosferike, të tërheq vëmendjen gjuha e huaj e përdorur në to, pa përkthim shqip. Disa kilometra më tutje, diku buzë Shkumbinit, është ngritur kantieri i firmës nënkontraktore “Sintram & Albavia”. Në hyrje të tij valëviten flamujt e rrjepur e të çngjyrosur nga koha dhe nga era inatçore. Brenda kantierit gjenden disa makina, por asnjëra prej tyre nuk është e ndezur apo në punë. Ndoshta, mesdita e së shtunës ishte koha e largimit të punëtorëve apo heshtja tregonte tjetër gjë?
I vetmi që mundëm të përshëndesnim ishte roja i kantierit, i cili si përgjigje kishte, “Nuk di asgjë”. Ndonjëherë kjo përgjigje të bën paksa dyshues por dhe të ngatërron. Përpiqesh të kuptosh nëse janë të lodhur nga pritja në rrugë apo nga dikush që mban në dorë çelësin e fjalës së prangosur. Shumë ide mund të ketë rreth të vërtetës, por gjendja e rrugës është fakti kokëfortë që hedh tej çdo justifikim për mos përfundimin e saj, zvarritjen prej më shumë se një dekade të punimeve dhe premtimet boshe. Rruga që do shkurtonte kilometrat, sot ka mbetur vetë rrugëve.
Let me tell You a sad story ! There are no comments yet, but You can be first one to comment this article.
Write a comment