Gjykata Kushtetuese zhbllokon ngërçin që vetë ajo kishte krijuar
Related Articles
Gjykata Kushtetuese zhbllokon ngërçin që vetë ajo kishte krijuar
Autor: Niazi Jaho
Pak histori:
Para disa ditëve, u njoha me vendimin nr. 35, datë 27.05.2025 të Gjykatës Kushtetuese. Sipas këtij vendimi, rezulton se një e dhjeta e deputetëve kishte paraqitur në Kuvend një mocion në të cilin pretendohej se deputeti V.S kishte kryer veprimtari fitimprurëse që buronte nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor. Mocioni bazohej në nenin 70, pikat 3 dhe 4 të Kushtetutës.
Kuvendi kishte vendosur rrëzimin e këtij mocioni, ndërsa jo më pak se një e dhjeta e deputetëve të Kuvendit i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për deklarimin të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimit nr. 5, datë 30.01.2025 të Kuvendit dhe detyrimin e tij për ti dërguar gjykatës mocionin e rrëzuar.
Gjykata Kushtetuesen në vendimin nr. 35, datë 27.05.2025 që përmendëm më lart është shprehur se: “në çdo rast, një e dhjeta e deputetëve ka të drejtën të kërkojë nga Kuvendi me mocion që të dërgojë në gjykatë çështjen e papajtueshmërisë së deputetit në ushtrimin e mandatit dhe në rast të rrëzimit të një mocioni të tillë, aktivizohet e drejta e jo më pak se një të pestës së deputetëve për të vënë drejtëpërdrejt në lëvizje gjykimin kushtetues për shqyrtimin në themel të çështjes së papajtueshmërisë dhe deklarimin e mbarimit të mandatit të deputetit.” (Shih Par. 28)
Në rastet e mëparshme kur mocioni i një të dhjetës së deputetëve është rrëzuar nga Kuvendi dhe është vendosur mos dërgimi i çështjes në gjykatë (siç ka qenë p.sh rasti i deputetes O.XH), qendrimi i gjykatës ka qenë krejt i ndryshëm. Që çështja të jetë e qartë për lexuesin e shikoj të nevojshme ti referohem vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nr. 55, datë 10.07.2024, ku thuhet:
- Kur Kuvendi vihet në lëvizje me mocion të Kryetarit të Kuvendit ose një të dhjetës së anëtarëve të tij, duhet të vendoset dërgimi i çështjes në Gjykatë Kushtetuese, e cila është organ i vetëm që ka kompetencë të shqyrtojë në themel çështjen…
- Në rastet kur Kuvendi vihet në lëvizje sipas pikës 4 të nenit 70 të Kushtetutës “Kuvendi nuk mund të vejë në diskutim nocionin e paraqitur dhe nuk mund t’ja nënshtrojë atë debatit parlamentar…Kuvendi, në këto raste, nuk mund ti hyjë themelit të çështjes, pra vlerësimit nëse veprimet konkrete të pretenduara të kryera nga deputeti, janë të papajtueshme me mandatin e tij.” (Par. 39 i vendimit)
- Lidhur me mos dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, në vendim theksohet se: “Kuvendi detyrimisht duhet të zbatojë vendimet e saj, konkretisht atë që sanksionohet në nenin 132 të Kushtetutës ku thuhet se “vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim.” (Par. 44 i vendimit)
- Gjykata vlerëson se “parimi kushtetues i mandatit të lirë të deputetit nuk mund të kuptohet si liri absolute…Gjykata çmon se parimi i mandatit të lirë (jo detyrues) edhe pse është i zbatueshëm në procedurat parlamentare kur deputetët thirren në votim, nuk nënkupton se liria në votim e deputetëve është absolute. Përkundrazi kjo liri në votimin e tij i nënshtrohet kufizimeve.” (Par. 58 i vendimit)
Kundër vendimit të mësipërm kam shprehur opinionin tim kritik në një shkrim të publikuar në gazetën “Dita”, të datës 16 janar 2025, të titulluar: “Ngërçin e ka krijuar vetë Gjykata Kushtetuese”.
Vendimi nr. 35, datë 27.05.2025 i gjykatës që ka ndryshuar thellësisht qëndrimet e saj të mëparshëm duke zhbllokuar kështu ngërçin që vetë ajo ka krijuar, (në fakt edhe pse nuk shprehet) pranon se:
- Qëndrimi i Kuvendit ka qenë i drejtë, d.m.th. në pajtim me Kushtetutën. Ai nuk ka cenuar asnjë nen të Kushtetutës në rastet kur ka refuzuar mocionin dhe si pasojë nuk ishte i detyruar ti dërgonte çështjen Gjykatës Kushtetuese.
- Neni 132 i Kushtetutës në një rast të tillë, nuk mund të zbatohej, sepse ndryshe nuk do të përfillej votimi i shumicës dhe autonomia e organit ligjvënës.
- Të padrejta, jo korrekte, të pajustifikuara dhe të rënda kanë qenë shprehjet e përdorura në vendimin e gjykatës (është fjala për moszbatimin e nenit 132 të Kushtetutës) se Kuvendi ka cenuar “të gjithë strukturën e të drejtave dhe detyrimeve të parashikuara në Kushtetutë, ç’ka do të përbënte një precedent të rrezikshëm…” (Par. 58 i vendimit të Gj.K, Nr. 35, datë 10.07.2024)
Pas vendimit të mësipërm, gjykata nuk do ti kërkonte Kuvendit shfuqizimin e vendimit të refuzimit të mocionit dhe as do të përmendte detyrimin sipas nenit 132 të Kushtetutës, sepse vendimi i Kuvendit do të ishte legjitim dhe nuk do të përbënte, siç shprehej gjykata në vendimin e mësipërm të vitit 2024, “një precedent të rrezikshëm”.
Duke ju rikthyer vendimit të Gjykatës Kushtetuese që legjitimon një të pestën e deputetëve për të venë në lëvizje gjykatën në rastet kur Kuvendi rrëzon mocionet e një të dhjetës së deputetëve, është e nevojshme të trajtohen çështjet e mëposhtme:
Së pari: A ka ndryshuar gjykata praktikën e saj të mëparshme?
Së dyti: Nëse po, për këtë ndryshim a ka parashtruar ajo arsyet dhe argumentet përkatëse?
Së treti: Kjo praktikë e ndryshuar a përbën normë të re kushtetuese?
Në trajtimin e çështjeve të mësipërme e shohim të nevojshme të shprehim mendimet e mëposhtme: Gjykata ka ndryshuar praktikën e saj, por pa arsyetuar domosdoshmërinë e këtij ndryshimi. Në fakt praktika e gjykatës mund të ndryshojë në raste të rralla, në kushte dhe rrethana të veçanta dhe sidomos në zbatim të standardeve (shih vendimin e Gj.K, Nr. 30, dt. 17.06.2010).
Ne mendojmë gjithashtu se ndryshimi i praktikës që legjitimon një të pestën e deputetëve në rastet kur Kuvendi rrëzon mocionet e paraqitura nga një e dhjeta e deputetëve, krijon normë të re që siç dihet është atribut i legjislativit. Në këtë përfundim ka arritur edhe pakica e anëtarëve të gjykatës që janë shprehur se: “nëpërmjet legjitimimit të subjektit jo më pak se një e pesta e deputetëve, gjykata ka tejkaluar Kushtetutën duke krijuar normë të re kushtetuese” (vendimi nr. 35, datë 27.05.2025, paragrafi 24)
Në përfundim e shikojmë të nevojshme të theksojmë se gjykata (përfshi kështu edhe rastin e deputetit V.S) në vështrim të nenit 70, pikat 3 dhe 4 të Kushtetutës, më parë nuk ka legjitimuar vënien në lëvizje të saj nga një e pesta e deputetëve, me arsyetimin se neni 70 i Kushtetutës është dispozitë specifike.



Let me tell You a sad story ! There are no comments yet, but You can be first one to comment this article.
Write a comment