Të jetosh me sfidat e një të ardhme të panjohur
Related Articles
Gazmend Berlajolli
Agresioni brutal rus kundër Ukrahinës dha një alarm të madh për sigurinë në botë, për ekonominë dhe tregtinë ndërkombëtare si dhe për arkitekturën globale energjetike. Për më shumë, kjo luftë vuri në pah faktin se po jetojmë në një botë globale dhe se është e pamundur të mbahen luftrat brenda kufijve gjeografik të shteteve. Përdorimi i taktikave hibride duke filluar prej humbjeve njerëzore, shkatërrimit të pronave, shkaktimit të krizave humanitare, sulmeve kibernetike, propagandës dhe dezinformimit, si dhe vështirësive ekonomike do rezultojë me rritje të tensioneve dhe përkeqësim të situatës gjeopolitike në përgjithësi, andaj edhe pasojat priten të jenë globale.
Nga këndvështrimi ekonomik dhe bazuar në raportet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), lufta në Ukrainë dhe pandemia COVID-19 ndikuan në masë të madhe në tregtinë ndërkombëtare, në ngadalësimin e rritjes ekonomike, në rritjen e inflacionit dhe ngadalësimin e tranzicionit në energji të gjelbër. Poashtu, agresioni rus në Ukrainë krijoi një nevojë urgjente për përkrahje humanitare, ngase kjo luftë detyroi më shumë se 11 milion qytetarë të braktisin shtëpitë e tyre.
Zinxhiri i furnizimeve u ndikua poashtu sepse Ukraina dhe Rusia përbëjnë një fuqi të konsiderueshme ekonomike në tregun botëror. Vetëm Ukraina mund të prodhon ushqim për 400 milion qytetarë në botë. Në veçanti Ukraina furnizon 50% të sasisë botërorë të vajit, 10% të drithërave dhe 13% të misrit. Ndërsa Rusia furnizon rreth 14% të tregut me fertilizues. Marr parasysh se lufta në Ukrainë është duke ndikuar negativisht në procesin e rregullt prodhues, fermerët nuk e kanë të mundur të sigurojnë fara dhe fertilizues të nevojshëm, andaj edhe pritet të kemi vjeshtë me rendiment të ulët dhe kjo gjithësesi se do të thellon edhe më shumë krizën për furnizim me ushqim në botë.
Sigurisht, edhe Kosova bashkë me rajonin e Ballkanit Perëndimor është duke i ndjerë pasojat, ngase raportet e fundit të FMN-së tregojnë se Kosova do të ketë ulje të bruto produktit vendor në vitin 2022. Norma e inflacionit në Kosovë po shënon rritje të ashpër deri në 12.5% (Agjensioni i Statistikave të Kosovës – maj 2022), duke e bërë inflacionin si preokupim kryesor dhe më të përfolur në shoqëri.
Përceptimi qytetar është se çmimet janë rritur më shumë se 12.5% dhe besojnë se janë rritur rreth 30-50% pothuaj në të gjithë artikujt dhe shërbimet. Kjo dukuri po ndiqet me shumë pasiguri dhe të panjohura.
Zbutja e efektit të inflacionit në rritje që vjen si rezultat i ngritjes së çmimeve të importit si dhe pasiguria me furnizim energjetik me çmim të përballueshëm duhet të jenë ndër prioritetet kryesore për qeveritë e rajonit. Për më shumë, vendimet e qeverive të rajonit duhet të parashohin lehtësira për ekonomitë familjare dhe të mundësojnë që kjo krizë të tejkalohet pa pasoja të mëdha duke trasuar një rrugë të qartë drejt normalizimit të situatës ekonomike.
Si përfundim, nëse krahasojmë situatën ekonomike të para dy viteve, mund të themi se gjendja ishte më e përballueshme atëherë. Edhepse të gjithë u përballëm me pandeminë COVID 19 që ishte një krizë tjetër globale të përcjellur me një tkurje ekonomike, pas heqjes së kufizimeve shtetet e Ballkanit Perëndimor shënuan rritje ekonomike prej rreth 7% në vitin 2021. Megjithatë, të gjitha këto janë pak të rëndësishme në vitin 2022 kur agresioni rus kundër Ukrainës është kërcënim serioz për sigurinë, paqen dhe lirinë në tërë globin. Sot, po jetojmë me këto pasoja. Situata është shumë e rëndë ndërsa krizave nuk po u shihet fundi.
Gazmend Berlajolli, Menaxher i Projekteve në Forumin Ballkanik
Të drejtat e autorit i përkasin faqes https://okruzenje.com
Let me tell You a sad story ! There are no comments yet, but You can be first one to comment this article.
Write a comment