Qindra të sëmurëve kronikë, që joshen nga suplementet “çudibërëse” online, iu rrezikohet seriozisht shëndeti. Faktet dhe dëshmitë e grumbulluara nga Investigative Network Albania tregojnë se kemi të bëjmë me një skemë mashtrimi, pas së cilës qëndron një call center në Bosnjë, që fut në kurth “pacientët” në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, në Kosovë, në Serbi e deri në Kroaci. Një treg që përllogaritet në shifrën e miljona eurove, ekspertët e shëndetësisë e konsiderojnë kriminal dhe kërkojnë rregullim të tij. Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar 16 shqiptarë përfunduan në pranga mes 400 personave që arrestoi Europol, si të përfshirë në këtë skemë mashtrimi, ku dhe u sekuestruan 40 milionë euro ilaçe e medikamente.
Qetësia e 31 dhjetorit të vitit 2022 për infeksionistin e njohur, Arjan Harxhi, u prish nga “breshëria” e telefonatave apo sms-ve të familjarëve, të miqve, të kolegëve dhe të pacientëve. E njoftonin se disa faqe online, të vendosura e të sponsorizuara në rrjetin social, Facebook, në emër të infeksionistit të njohur, Harxhi, reklamonin një medikament çudibërës, që shëronte sëmundjet e zemrës.
“Këto pilula të harruara do të pastrojnë enët e gjakut në 3 ditë dhe do të heqin presionin!”, – ishin fjalët e vendosura në gojën e mjekut Harxhi, në faqen me emrin “Whitney Miller“.
Screenshot nga reklama false me emrin e Dr. Arjan Harxhi
Edhe pse në prag të natës së Vitit të Ri, 2023, brenda më pak se dy orëve njëri prej këtyre postimeve kishte marrë më shumë se 300 pëlqime, rreth 150 komente e më shumë se 5 mijë shikime.
“Për habinë më të madhe disa prej tyre edhe e kishin besuar që unë isha autor i këtyre postimeve apo i këtyre reklamave”, – tregon mjeku Harxhi, i cili shpjegon se nuk ka profil në rrjetet sociale.
Duke marrë në konsideratë faktin që në disa portale lajmi ishte “sponsorizuar” në Facebook, mjeku i njohur është i bindur se bëhet fjalë për një veprimtari të organizuar me qëllime të sakta manipulimi për të fituar pará. Infeksionisti Harxhi ka hezituar që ta denoncojë rastin në polici. Ai ka bërë denoncim në rrjetin social, Facebook, ku ka kërkuar bllokimin e faqes. Një pjesë e tyre janë bllokuar, por disa të tjera janë ende në funksion.
Doktori i njohur Arjan Harxhi nuk është viktima e vetme e biznesit fals e kontrabandë të produkteve shëndetësore. Në Prokurorinë e Tiranës ka pasur disa denoncime të ngjashme, por hetimet janë pushuar ose pezulluar.
Kurthi me ofertat, “kur sapuni të shitet për djathë”
Dhjetëra faqe online reklamojnë produktet çudibërëse, që shërojnë çdo sëmundje te njeriu. Çmimet janë thuajse të njëjta për secilin prej tyre. Rreth 80€ (euro). Por, për këdo që futet në faqe, ka një ofertë, që përgjysmohet menjëherë, pra shkon në 40€ (euro). Ky është truku i parë për të tunduar, për të joshur pacientët, që të kryejnë porosinë, e cila bëhet online.
Investigative Network Albania gjurmoi se si funksionon kjo skemë mashtrimi. Pasi futesh në faqe, shënon emrin, mbiemrin, numrin e telefonit dhe adresën. Pa kaluar pesë minuta, pasi ke bërë porosinë, të bie telefoni. Nga ana tjetër e telefonit dëgjohet një zonjë që flet shqipen e Kosovës. Thotë se telefonon nga Qendra e Mjekësisë Alternative në lidhje me kërkesën.
“Është produkt 100 për qind bimor dhe nuk ka asnjë efekt anësor, sepse është krejt natyral dhe ka përbërje prej 24 bimësh. Secila kryen funksionin e saj, zotëri. Përdoret dy herë në ditë, para ushqimit, zotëri”, – nxiton të sqarojë zonja.
Pasi mendon se “peshku ka rënë në grep” dhe të tregon se si zihet çaji, duke të të porositur që të mos i hedhësh sheqer, të vjen oferta e radhës. Pakoja që porositëm ka çaj vetëm për shtatë ditë, mirëpo terapia kërkon minimumi një muaj.
“Ju mund të porositni katër pako për vetëm 100 mijë lekë zotëri”, – thotë zonja. Pyetjes se cila është origjina e produktit, ajo i përgjigjet, duke thënë se është prodhim gjerman, paketohet në Sarajevë e shpërndahet në të gjithë Ballkanin, madje edhe në Kroaci.
Në faqen ku INA MEDIA bëri porosinë, si adresë e firmës Limited Charm është shënuar “Eqrem Qabej, Milloshevë – Obiliq, p. n. Prishtinë“, por në rrjetin social, Facebook, të së njëjtës firmë, “Limited Charm“, adresa ndryshon dhe aty thotë se gjendet në “Sarajevo, Bosnia and Herzegovina”.
Produktet e blera nga INA Media O-Caps dhe DIATEA
Investigative Network Albania porositi një tjetër “medikament”, në një tjetër portal. Kësaj here për të kuruar dobësimin e thellë të shikimit. Çmimi i preparatit është i njëjtë me produktin që porositëm për të luftuar diabetin, 9 600 lekë, por sipër kësaj shifre është vendosur një vizë, duke të të lajmëruar që çmimi ka zbritur në 4 800 lekë. Pas disa minutave bie telefoni. Është i njëjti numër telefoni si herën e parë, por këtë herë në telefon dëgjohet një zë burri. Intonacioni dhe dialekti, i njëjtë me vajzën; flet shqipen e Kosovës. Bën pyetjet rutinë, por nuk pyet gjatë për diagnozën. Përshkruan thjesht medikamentin dhe nxiton të japë ofertën.
“Për shkak të festave, për shkak të përvjetorit të kompanisë ne kemi bërë oferta, duke ofruar dy terapi, terapi të plotë dhe gjysmë-terapi. Terapia e plotë është terapia për dy muaj përdorim, ndërsa gjysmë-terapinë e kemi për një muaj përdorim. Për çdo terapi ju ndihmon edhe kompania, duke mbuluar 50% të shpenzimeve. Terapinë e plotë, për dy muaj, të cilën e keni me tetë pako, e merrni për 145 mijë lekë, ndërsa gjysmë-terapinë e keni vetëm për një muaj, vetëm 102 mijë lekë të vjetra, sepse një pako, e cila është 48 mijë lekë të vjetra, është për një javë përdorim”.
Pavarësisht këmbënguljes për të marrë vetëm një pako, zëri pas receptorit vazhdon të përsërisë ofertat, madje për gjysmë-terapinë e zbret sërish çmimin, nga 102 në 100 mijë lekë të vjetra, duke hequr edhe dy mijë lekë të vjetra. Përpiqet më shumë se 7 minuta të na bindë të marrim më shumë se një pako. Kur humbet shpresat për ta shitur të plotë terapinë e medikamentit, vjen pyetja e radhës.
“A mundeni, zotëri, me më tregu, probleme të tjera shëndetësore ju apo familjarë të tjerë a keni?” Gjendem në befasi e i them që një familjarja ime vuan nga dhimbja e kockave. Medikamenti është gati.
“Kemi një produkt që quhet Bone Control. Përdoret nga dy deri në tri herë në ditë, krem është. Përdoret në lëkurë të pastër. E lan, e vendos kremin, bën një masazh 5-10 minuta e pastaj qetësohesh. Duhet gjysmë ore, që lëkura me e absorbu”.
Pyetjes për garancinë e produkteve, që tregton, i përgjigjet si kolegia e tij.
“Kemi licencë europiane. Shesim në të gjithë Ballkanin e qendrën e kemi në Bosnjë-Hercegovinë”.
Medikamenti u porosit të enjten dhe paraditen e së shtunës një numër telefoni njofton se ka mbërritur porosia. Një djalë rreth të 35-ave, në një makinë të mbushur plot me medikamente, nuk zbret fare nga makina, pasi ka shumë porosi për të shpërndarë, e pret shkurt bisedën: “Ne jemi posta e nuk dimë asgjë se çfarë ka brenda pakos”.
Mashtrimi me mjekë që nuk ekzistojnë
Epidemia Covid-19 po zëvendësohet me epideminë e portaleve. Me adresa të paidentifikuara portalet reklamojnë dhe marketojnë medikamente çudibërëse, që shërojnë thuajse të gjitha sëmundjet. Kryesisht sëmundjet kronike.
“Burrat më në fund kanë në dorë ilaçin nr. 1 në Europë për eliminimin e problemeve të prostatës, ky është Prostex, madje kanë disa zgjedhje për të njëjtën sëmundje. Në të njëjtën faqe reklamohet edhe ProstaGenius, si preparati më efektiv për meshkujt e grup-moshës mbi 40, që kanë probleme me prostatën. Në këtë faqe mund të gjenden medikamente për të luftuar artritin, artrozën, dhimbjet e kyçeve etj. Sigurisht që nuk mungojnë preparatet për diabetin, madje të llojeve të ndryshme. “Diatea është një produkt, që mund të zëvendësojë një kompleks të tërë ilaçesh”, – shkruhet në një blog, që ka thuajse të njëjtat medikamente me disa blogje të tjera; ose mund të porositet Diafix.
“Edhe të verbrit kanë një shans që të rikthejnë dritën e syrit, pavarësisht nëse nuk shohin larg, afër apo nuk shohin fare. Mjafton që pacienti të marrë në mënyrë të rregullt kurën, që zgjat deri në 8 javë”, – thotë nëpërmjet telefonit agjentja e marketingut nga Sarajeva.
Me medikamentet e reklamuara aty mund të jetoni dy herë rininë. Mjafton që preparatin për të hequr rrudhat ta konsumoni bashkë me atë që kthen potencën seksuale, si në rininë tuaj. Këto, pasi të keni përfunduar një kurë të mirë me ilaçin që ju humbet pak nga pesha juaj e tepërt.
Mjeku Florian Toti, njëkohësisht kryetar i Shoqatës së Diabetikëve të Shqipërisë, bën apel që të sëmurët të qëndrojnë larg këtyre joshjeve. Sipas tij, hipertensioni, obeziteti, diabeti, sëmundjet e zemrës, që futen në grupin e sëmundjeve kronike, janë sëmundje që të shoqërojnë gjatë gjithë jetës, ato mund të kenë përmirësim, por jo shërim.
“Shumë persona mërziten ose nisin të kërkojnë një zgjidhje tjetër, alternative, duke rënë shpesh pre e këtyre siteve ose reklamave të gabuara, të cilat paraqitin disa suplemente si ilaçe çudibërëse”, – thotë mjeku Toti.
Faqet kanë domain-e (adresa) të parregullta. Herë-herë janë në formën e blogjeve, ndërsa herë-herë kanë formën e portaleve. Kanë rubrika të ndryshme, të ngjashme me portalet e lajmeve, por rubrikat janë bosh. Nëse klikon në secilën prej rubrikave, kursori të çon te reklama e medikamentit që tregtohet.
Pasi vëzhgoi disa nga adresat e identifikuara, Thimi Kallajxhiu, ekspert i teknologjisë së informacionit, deklaron se domain-e të tilla klasifikohen si scam sites. Ai shprehet se në përgjithësi scam site-t synojnë shtetet e botës së tretë, si Shqipëria.
Përmbajtja e faqeve scam është e mbushur me emra institucionesh, që nuk ekzistojnë fare në Shqipëri apo me emra doktorësh të sajuar, të ilustruar me fotografi të marra nga interneti.
“Ky produkt nuk është vlerësuar nga Agjencia për Produkte Medicinale dhe Pajisje Mjekësore të Shqipërisë”, – shkruhet në një nga këto faqe. Ndërkohë, institucioni përkatës në Shqipëri emërtohet Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore. Në një faqe tjetër “flet” shefja e Departamentit të Endokrinologjisë, Laura Abedini, ndërkohë që në Shqipëri, sipas faqes zyrtare të Qendrës Spitalore Universitare (QSUT), shef i shërbimit të Endokrinologjisë është prof. Agron Ylli.
Nga një kërkim pranë QSUT konfirmohet se nuk ekziston një doktoreshë me emrin Laura Abedini, ndërkohë që një identiteti i tillë nuk gjendet as në listën zyrtare të Gjendjes Civile.
As emri i doktorit të syve, Ali Zogaj, që sipas njërit prej portaleve “mori më prestigjiozin çmim në Shqipëri në fushën e oftalmologjisë dhe bio-teknologjisë, duke zhvilluar një ilaç inovativ, që mund të rivendosë shikimin në çdo moshë”, nuk ekziston.
Edhe pse shkruhet në gjuhën shqipe, duket që janë përkthime të kryera nga programet kompjuterike.
“Këtë pranverë, në Kongresin Europian të Okulistëve, të mbajtur në Shqipëri, ndodhi një ngjarje që tronditi mbarë botën shkencore. Njerëzit në publik duartrokitën të riun, i cili ishte ndezur për 10 minuta skena“.
Kjo është hyrja e artikullit që marketon një medikament për syrin. Në fakt, në Shqipëri nuk është mbajtur as këtë vit e as një vit më parë Kongresi Europian i Okulistëve.
Faqet kujdesen që të ketë dhjetëra komente për të vërtetuar efikasitetin e medikamentit që ata tregtojnë. Komentet kanë vetëm emra (me njëfarë kujdesi, që të duken si emra shqiptarësh) dhe komentues në moshë. Duket që frazat e komentueseve janë të kujdesshme. Të përkthyera nga programet kompjuterike.
Eksperti i IT, Tomi Kallajxhiu, pas analizës së siteve mendon se në përgjithësi portalet scam, që i reklamojnë këto medikamente, janë të vendosura në advertiser-in Tabola.
Qendra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike në Britaninë e Madhe shkruan se faqet scam përdoren për reklama mashtruese, që mund të ndeshen në faqe të posaçme ose kur klientët përdorin motorët e kërkimit apo mediat sociale.
“Këto reklama shpesh duken të vërteta. Ata mund të përpiqen t’ju tërheqin në përdorimin e miratimeve të rreme të të famshmëve ose duke ofruar mallra me zbritje, por shpesh qëllimi është të të vjedhin pará ose t’ju shesin mallra që nuk kanë asnjë ngjashmëri me atë që reklamohet”, – shkruhet në faqen zyrtare të sigurisë kibernetike të Britanisë së Madhe.
Vendi ynë e ka miratuar Ligjin për Sigurinë Kibernetike gjashtë vjet më parë. Po atë vit është ngritur dhe funksionon Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK). Por, në Dokumentin e Strategjisë Kombëtare dhe Planin e Veprimit për periudhën 2020-2025, i përgatitur nga ky institucion, shkruhet: “Aktualisht vihet re se mungojnë mjetet e nevojshme për të marrë dhe për të krijuar inteligjencë kibernetike, duke përdorur burime të nevojshme, njerëzore dhe logjistike, për të ushtruar veprimtarinë ligjzbatuese.
Në këtë dokument, të miratuar më 24 dhjetor 2020, Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike, rekomandon rishikimin e të gjithë kuadrit ligjor e rregullator, me qëllim harmonizimin e plotë me direktivat e Bashkimit Europian, si dhe me qëllim koordinimin e brendshëm institucional. Duke folur për fushën e shëndetësisë, sipas studimit që kanë realizuar, ka rezultuar se infrastruktura e informacionit, që administrohet nga operatorë privatë, nuk i përmbush gjithashtu elementet e sigurisë, që duhet të garantojë një infrastrukturë kritike.
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, AKEP, në një përgjigje zyrtare thotë se “nuk ka kompetencë ligjore që të shqyrtojë përmbajtjet e komunikimeve elektronike, pra as përmbajtjet e faqeve të internetit, mediave sociale online etj.”.
Për pyetjen nëse zotëron kapacitete teknologjike për të bllokuar portale (adresa) që nuk kanë domain-e cc.TLD.al, AKEP thotë se, “nëse institucionet me një kompetence të tillë ligjore vendosin mbyllje aksesi domain-esh apo faqesh interneti, AKEP përcjell vendimin e institucionit përkatës tek ofruesit e shërbimit internet (ISP), për mbylljen e aksesit të atyre domain-eve/faqeve të internetit në territorin e Republikës së Shqipërisë. Bllokimi i aksesit bëhet nga ISP-të dhe jo nga AKEP”.
Por, ish-kryetari i këtij institucioni, Pirro Xhixha, është shprehur se AKEP nuk ka as kapacitete ligjore dhe as teknologjike për të garantuar sigurinë kibernetike në Shqipëri.
Suplementet, shpëtimi i farmacive, rrënim për pacientët
Ligjet trajtojnë në mënyrë të ndryshme e të ndarë medikamentet dhe suplementet. Suplementet ose shtesat ushqimore ligji shqiptar ia ngarkon Autoritetit Kombëtar të Ushqimit që t`i kontrollojë.
Sipas AKU-ut, suplementet janë burime të përqendruara të lëndëve ushqyese dhe kanë për qëllim të korrigjojnë mangësitë ushqyese. Ato nuk janë produkte medicinale dhe si të tilla nuk mund të ushtrojnë një veprim farmakologjik, imunologjik ose metabolik.
“Prandaj përdorimi i tyre nuk ka për qëllim të trajtojë ose të parandalojë sëmundjet te njerëzit ose të modifikojë funksionet fiziologjike”, – thotë AKU.
Ndërsa barnat kontrollohen nga një sërë institucionesh dhe strukturash, që nisin nga Ministria e Shëndetësisë e posaçërisht nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore. Kjo e fundit në një përgjigje zyrtare deklaron se “tregtimi online i suplementeve të ndryshme nuk është objekt inspektimi i AKBPM-së”.
Problemi është se vetë tregtuesit i quajnë medikamente produktet që shiten dhe ua servirin si çudibërëse personave që vuajnë nga një sëmundje kronike.
Për Diana Tomën, presidenten e Urdhrit të Farmacistëve Shqiptarë, shtimi i konsumit të suplementeve lidhet me dinamikat e tregut farmaceutik.
Sipas kryetares së Urdhrit të Farmacistëve, boshllëku ligjor dhe kaosi institucional për mënyrën se si është i rregulluar ky treg ka shtuar spekulimet.
“Së pari, në lirshmërinë për t’i futur këto produkte në tregun shqiptar. Së dyti, në lirshmërinë për t’i reklamuar dhe e treta, në qëllimin fals, për të cilin arrijnë te qytetari”, – thotë Toma.
Edhe për kreun e Shoqatës së Diabetikëve, mjekun Florian Toti, mënyra se si tregtohen suplementet në Shqipëri ka prodhuar një zinxhir problemesh. Nëpërmjet reklamave, edhe në televizione, i paraqitin disa suplemente shumicën e rasteve si ilaçe çudibërëse. Ky problem i parë bëhet shkak i prodhimit të një problemi pasues.
“Shumë medikamente janë të rimbursueshme dhe pacientët i marrin me çmime shumë të reduktuara. Me rimbursim gati 100 për qind, por edhe në shitje të lirë kushtojnë shumë pak, në rangun e 100, 200 ose 500 lekëve të reja të trajtimit mujor. Ndërkaq, kostoja e këtyre suplementeve të pavërtetuara shkencërisht është me një vlerë shumë më të madhe financiare, që fillon nga 3 mijë lekë deri në 5 mijë ose në 7 mijë lekë kosto mujore. Rekomandimi është që trajtimi të merret për disa muaj”, – thotë Toti.
Por, kjo amulli mund të çojë deri në rrezikimin e jetës të pacientit. Shpesh në reklama të tilla iu thuhet pacientëve se nuk kanë nevojë të përdorin medikamente, pasi ato krijojnë probleme. Ndaj rekomandojnë ndërprerjen e terapisë së dhënë nga mjeku dhe trajtimin e sëmundjes me medikamente natyrale, pa efekte anësore.
Mjeku Toti tregon se së fundmi ka pasur disa raste që pacientë, që i kanë braktisur recetat mjekësore, duke i zëvendësuar ato me këto medikamente, kanë përfunduar në koma.
“Janë gënjeshtra të mirëfillta, të cilat e dëmtojnë pacientin nga ana shëndetësore, nga ana financiare dhe prishin ose përpiqen të dëmtojnë atë raport midis personelit mjekësor dhe pacientit, i cili është baza e trajtimit te sëmundjet kronike”, – thotë Toti.
Duke pranuar se ndonjëherë pacientët i zëvendësojnë medikamentet që jep doktori në recetë me këto produkte të pacertifikuara, kryetari i Urdhrit të Mjekut, Dr. Fatmir Brahimaj, e quan këtë veprimtari kriminale.
“Në reklamën që i bëhet këtij suplementi, thuhet që kjo është një insulinë natyrale dhe ku ka më mirë sesa nëna natyrë, që i bën të tëra, ashtu siç duhet. Por, t`i heqësh diabetikut insulinën, domethënë që në pak ditë ta çosh në koma dhe pastaj për ta nxjerrë nga koma është goxha e vështirë, ndonjëherë në rrethana të ndryshme është edhe e pamundur. Pra, një gjë e tillë i kërcënon jetën”, – shprehet Dr. Brahimaj.
Kryetarja e Urdhrit të Farmacistit, Diana Toma, bën përgjegjës shtetin si rregullator i të gjitha hapave dhe hallkave në tërësi, por sidomos në fushën e shëndetit. Sipas saj, suplementet janë gjetur si shpëtim nga tkurrja e tregut farmaceutik.
“Tkurrja e tregut çoi në dobësimin e mundësive financiare për të mbijetuar apo për ta pasur statusin që kishin kompanitë farmaceutike, që kishin investuar. Çoi në situatën e largimit të kompanive prestigjioze, qoftë inovatore, qoftë gjenerike”, – shprehet Toma.
Ky presion i shtetit detyroi aktorët e tregut farmaceutik të gjenin mundësi të tjera.
“Mundësitë ishin pilulat magjike, të cilat futeshin pa një procedurë, ndërkohë që barnat kanë një procedurë totalisht të kontrolluar. Suplementet nuk kanë nevojë për një staf mirëfilli profesional, që është prapë një kosto e reduktuar. Nuk i nënshtrohen kontrollit nga Agjencia e Barnave, por thjesht kontrollit doganor dhe çohen pastaj në magazina. Nuk përcakton çmim tregtimi shteti. Kjo do të thotë që çmimin e vendos farmacisti, sa të dojë. Me këtë marzh të fryrë unë mbuloj edhe dëmet që shteti me shkaktoi në aspektin menaxhimit të barit”, – shpjegon Toma.
Statistikat e Drejtorisë së Doganave tregojnë se në më pak se 10 vite sasia e suplementeve, që kanë hyrë në Shqipëri, është trefishuar.
Sasia në dollarë e suplementeve që kanë hyrë në Shqipëri për periudhën 2012-2020, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në një përgjigje për INA-n ka theksuar se për periudhën e vitit 2022 në pikat e inspektimit kufitar nga ana e inspektorëve të AKU-së janë kryer 522 akt- kontrolle. Ndërkohë, një burim brenda kësaj strukture shpjegon se ky është numri i kontrolleve që AKU ka bërë në total në pikat e inspektimit kufitar dhe jo akt-kontrolle të posaçme për suplementet ushqimore.
Përgjatë 6 muajve organizata policore europiane, Europol, ka koordinuar fazën e tretë të operacionit “Shield“, kundër trafikimit të barnave të falsifikuara. Operacioni u drejtua nga Franca, Greqia, Italia dhe Spanja dhe përfshiu policinë dhe autoritetet doganore nga 28 vende (19 shtete anëtare të BE-së dhe 9 vende të palëve të treta).
Vetëm në Shqipëri janë vënë në pranga 14 shtetas, janë proceduar penalisht 6 shtetas, si dhe janë sekuestruar medikamente të ndryshme, mjekësore, me vlerë mbi 100 000 euro. Sipas njoftimit zyrtar të Europol-it, të publikuar më 20 dhjetor 2022, ditën e finalizimit të operacionit janë hetuar 59 grupe të krimit të organizuar, janë mbyllur 10 laboratorë nëntokësorë, që i prodhonin këto produkte, janë monitoruar 588 faqe interneti, që përdoreshin nga grupet e krimit të organizuar, 89 nga të cilat janë mbyllur. Janë kontrolluar mbi 218 000 dërgesa të këtyre porosive, nga të cilat mbi 74 000 dërgesa janë sekuestruar.
Për strukturën policore europiane tregtia dhe konsumimi i barnave pa recetë nga profesionistët mjekësorë përbën një problem social, duke nxitur veprimtari të paligjshme. Ky aktivitet cilësohet si mjaft fitimprurës për krimin e organizuar.
Ky artikull është botuar pranë “Investigative Network Albania”
Let me tell You a sad story ! There are no comments yet, but You can be first one to comment this article.
Your e-mail address will not be published.Required fields are marked*
Comment*
Nickname*
E-mail*
Website
Ruaje në këtë shfletues emrin, email-in dhe sajtin tim, për herën tjetër që komentoj.
Δ
Let me tell You a sad story ! There are no comments yet, but You can be first one to comment this article.
Write a comment