Përgojimi i Besnik Mustafajt
Shumica e portaleve online nxituan për të lajmëruar se Besnik Mustafaj, një nga personalitetet e Partisë Demokratike (Opozita) ishte zgjedhur nga Parlamenti (Brenda të cilit nuk ka opozitë politike) si anëtar i Këshillit Drejtues të Televizionit Shqiptar.
Madje lajmin e ilustronin edhe me një dokument që mbante emrin e Kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi.
Por këtu ishte “kleçka”.
Dokumenti ishte “projekt-vendim” jo vendim.
Projektet, nuk realizohen gjithmonë. Sidomos në politikë. Projektet, në shumicë shërbejnë për luftë politike. Pikërisht për këtë motiv u përdoren edhe sot.
Më poshtë, disa nga foto e disa prej mediave që publikuan këtë lajm.
Kronologjia e historisë që u bë FAKE.
Pse historia e nisur më shumë se tre vjet më parë, u publikua pikërisht ditën që u vendos u kundërta e asaj çfarë shkruhej në lajm. Ditën që Kuvendi rrëzoi kandidaturën e Besnik Mustafajt.
Procesi që mbaroi sot, nis në vitin 2017. Pikërisht kur, anëtarit Helidon Haliti, mbështetur nga mazhoranca (Partia Socialiste) i përfundoi mandati tre vjeçar në Këshillin Drejtues të Radios dhe Televizionit.
Një vit më pas, në 2018, u përfundon mandati tre vjeçar edhe dy anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radios dhe Televizionit, kësaj radhe përfaqësuesve të mbështetur nga opozita (Partia Demokratike). Përkatësisht anëtarëve Pashk Përvathi dhe Artan Peqini.
Në këto rrethana, Komisioni Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik nis procedurën e zëvendësimit të tyre. Sërish, duke marrë në konsideratë balancat politike. Sepse këtë e kërkon ligji. Pra, për të kaluar në procedurë e shqyrtimit të kandidaturave drejt zgjedhjes tre anëtarë të rinj, përkatësisht dy të opozitës (Partisë Demokratike) dhe një të mazhorancës.
Në datën 4 shkurt 2019, Komisioni i përcjell Kuvendit për votim tre kandidaturat e skualifikuara; përkatësisht Besnik Mustafaj, Edmond Tullumani, dhe Helidon Haliti.
Në datën 7 shkurt të po atij viti, ky projekt vendim ishte përfshirë në rendin e ditës së seancës plenare të Kuvendit. Në pikën 9 të rendit të ditës.
Por, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste kërkoi që kjo çështje të shtyhej për votim në një seancë të mëvonshme, kur në seancë të ishte e pranishme edhe Partia Demokratike.
Që nga shkurti i vitit 2019, çështja ka ridalë në datën 28 janar të vitit 2020.
Por, sië duket propozimi është futur në rendin e ditës për t’u rrëzuar.
Në njoftimin për shtyp të Kuvendit, publikuar në faqen zyrtare shkruhet:
“Projektvendimi “Për zgjedhjen e tre anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar (KDRTSH)”, përkatësisht të z. Helidon Haliti, z. Besnik Mustafaj, z. Edmond Tullumani nuk u miratua, pasi kandidatura e z. Haliti mori 72 vota kundër, kandidatura e z. Mustafaj mori 74 vota kundër dhe kandidatura e z. Tullumani mori 76 vota kundër”.
Pikërisht pas këtij votimi, në median online doli lajmi i kundërt. Bashkë me komentet përkatëse.
Komentet ishin si “ftesë” për audiencën e përhershme të portaleve, të cilat kanë gadishmërinë dhe batarenë e sharjeve dhe fyerjeve ndaj Besnik Mustafajt në veçanti dhe opozitës në tërësi.
Qëllimi u arrit.
Let me tell You a sad story ! There are no comments yet, but You can be first one to comment this article.
Write a comment